Arti Shqiptar
English |
Deutsch
Kjo faqe interneti i kushtohet artit e popullit shqiptar në kuptimin e gjerë,
d.m.th. u kushtohet përpjekjeve të ndryshme artistike të shqiptarëve apo
veprave që kanë një lidhje me Shqipërinë apo me shqiptarët. Ajo nuk pretendon
të japë një histori të plotë të artit shqiptar, veç t’ia paraqesë lexuesit-shikuesit
ndërkombëtar disa aspekte dhe dukuri që mund të kenë interes për të.
Format e artit në Shqipëri u trajtësuan nga folklori tradicional shqiptar, nga
kultura e hershme bizantine dhe nga përfshirja pesëshekullore e vendit në
Perandorinë Osmane, deri në vitin 1912. Midis ndërtimeve të hershme më të
njohura arkitekturore me vlerë artistike në Shqipëri janë: kishat bizantine, si ajo
e Beratit (rreth vitit 1300) dhe shumë të tjera në Shqipërinë e jugut; xhamitë, si
Xhamia e Iliaz bej Mirahorit (1495) në Korçë, Xhamia e Sulltanit (1492) dhe
Xhamia e Plumbit (1553-1554) në Berat, Xhamia Muradije (1537-1542) në Vlorë,
Xhamia Naziresha në Elbasan (para vitit 1599), Xhamia e Plumbit në Shkodër
(1773-1774) dhe Xhamia Et’hem bej në Tiranë (1793-1794). Më pak të njohura
janë edhe urat e harkuara të stilit osman nga të cilat kanë mbetur vetëm disa.
Po ashtu pak ka mbetur dhe prej kishave të hershme katolike në veri. Për t’u
përmendur për stilin e banesave janë shtëpitë e larta prej guri në Gjirokastër,
shtëpitë e ndërtuara njëra mbi tjetrën në lagjen Mangalem në Berat, dhe kullat e
veçuara në veri të Shqipërisë dhe Kosovë.
Paraprirë prej mozaikëve dhe muraleve të antikitetit dhe mesjetës, pikturat e
para të njëmendta ishin ikonat sipas traditës ortodokse bizantine. Ikonat më të
hershme shqiptare datojnë prej fundit të shekullit të XIII dhe vlerësohet
përgjithësisht se kulmin e tyre artistik e arritën në shekullin e XVIII. Midis
përfaqësuesve më të shquar të artit ikonografik shqiptar ishin Onufri dhe
David Selenica. Megjithatë, muzetë në Berat, Korçë dhe Tiranë përfshijnë
koleksione cilësore të ikonave të mbetura. Deri në fund të periudhës osmane,
piktura në Shqipëri përqendrohej kryesisht në artin popullor dhe në zbukurime
të xhamive.
Piktura dhe skulptura bashkëkohore lindën në gjysmën e parë të shekullit
njëzet dhe arritën një kulm modest në vitet 1930 dhe 1940, kur u zhvilluan edhe
ekspozita të para arti në nivelin kombëtar.
Tradita e krijuar në artin shqiptar deri në Luftën e Dytë Botërore u dëmtua prej
komunistëve të cilët erdhën në pushtet në vitin 1944. Në vitet që vijuan disa
artistë u përpoqën t’i nënshtrohen doktrinës së realizmit socialist. Të tjerë ikën
ose i dhanë fund krijimtarisë së tyre artistike. Për artistët shqiptarë, në veçanti
më e vështirë ishte dekada e trazuar politike e revolucionit kulturor të viteve
1966-1967, deri rreth vitit 1975, kur shumë piktorë u burgosën dhe punimet e
tyre u shkatërruan. Shumë vepra të artit pamor u zhdukën. Pas ndalimit të fesë
në Shqipëri në vitin 1967, ikona shekullore, piktura të vjetra, libra dhe
dorëshkrime u braktisën nëpër bodrume apo në kisha të mbyllura me çelës.
Njerëzit ishin të frikësuar dhe nuk pranuan të kujdeseshin për to. Në atë kohë
në Shqipëri ishin rreth 1050 xhami, 200 teqe dhe tyrbe dhe rreth 400 kisha
ortodokse dhe katolike. Pothuajse të gjitha u mbyllën. Ndër viktimat e kësaj
tragjedie kulturore ishin edhe disa xhami dhe kisha me vlerë të madhe
kulturore të cilat pak vjet më përpara ishin restauruar nga ekspertët më shumë
kujdes.
Me gjithë humbje e luftërave dhe të (vetë)shkatërrimit, Shqipëria është ende e
pasur në art, dhe më anë të kësaj faqeje interneti shpresojmë të gjallërojmë
interes për disa aspekte të tij.
Robert Elsie